Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë

17/05/2022

Prishtinë, 17 maj 2022 – Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Avokati i Popullit konstaton diskriminimin me të cilën ballafaqohen pjesëtarët e komuniteti LGBTI, si rezultat i paragjykimeve, stigmatizimit dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Në shënim të kësaj dite, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e qeverisë dhe të autoriteteve tjera publike, për detyrimin që kanë në mbrojtje nga diskriminimi për grupet e cenuara dhe marrjen e masave ligjore për njohjen e të gjitha të drejtave të garantuara me kushtetutë.

Avokati i Popullit e ka përcjellë me shqetësim gjuhën e përdorur në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë debatit për martesat e seksit të njëjtë ku është përdorur gjuhë e urrejtjes dhe stigmatizimi i personave LGBTI. Kjo është në kundërshtim me vlerat themelore të një shoqërie demokratike, që i shërbejnë mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, lirisë dhe barazisë, dhe se këto vlera janë bazë themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Avokati i Popullit thekson se të gjithë qytetarët e vendit janë të barabartë dhe se shteti e ka për detyrë që t’i mbrojë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.