Nxënësit e Pejës u informuan për të drejtat e tyre dhe punën e IAP-së
Prishtinë, 4 maj 2022 – Në kuadër të aktiviteteve promovuese të Institucionit te Avokatit të Popullit, Zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Naile Alaj, së bashku me udhëheqësen e Zyrës Regjionale në Pejë znj. Hasije Islami, me 27 prill 2022 vizituan dy shkolla në komunën e Pejës dhe atë SHFMU “Skënderbeu” në fshatin Treboviq dhe SHFMU “Skender Çeku” në fshatin Qyshk.
Ky aktivitet ka të bëjë me synimin e informimit të nxënësve dhe mësimdhënësve për mandatin dhe rolin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, veçmas në vetëdijesimin për domosdoshmërinë e parandalimit të ndëshkimit trupor nëpër shkolla, si dhe për mundësitë e tyre që përkitazi me shkeljet e të drejtave të njeriut ti drejtohen IAP-së.
Mësimdhënësit dhe nxënësit u njoftuan edhe me Rregulloren IAP nr. 01/2019 për procedurat e veçanta për pranimin, trajtimin dhe adresimin e ankesave të paraqitura nga fëmijët apo ankesave që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve.
Në fund mësimdhënësit u pajisen me Raporte vjetore të IAP, ndërsa nxënësve iu shpërnda material promovues.