Avokati i Popullit diskutoi për të drejtat e njeriut me përfaqësuesit e bashkësive në Graçanicë
Prishtinë, 21 prill 2022 – Në vazhdën e fushatës “Barazi për të Gjithë”, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj më bashkëpunëtorë mblodhi anëtarë të shoqërisë civile, gazetarë, aktivistë të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të institucioneve lokale në Graçanicë.
Në këtë takim, pjesëmarrësit dëgjuan për mandatin, rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, si dhe si kryhen hetimet në këtë institucion për ankesat e qytetarëve.
“Secili individ duhet të gëzojë të drejtat e veta për një jetë më të dinjitetshme, për një jetë më të sigurt dhe me perspektivë për të ardhmen. Po ashtu, secili mekanizëm shtetëror duhet të kryejë punën e vet kur vjen në pyetje ndonjë shkelje e të drejtave të njeriut,” tha z. Qelaj.
Pjesëmarrësit kanë ngritur një mori çështjesh që shqetësojnë banorët e komunës së Graçanicës, e që për disa raste Avokati i Popullit ka hapur hetime, si me rastin e ndotjes së lumit Graçanka.
Ata theksuan po ashtu se në këtë komunë vazhdon të mungojë transporti publik, e veçanërisht për Prishtinë, ndërsa transporti mungon edhe për fshatrat e komunës. Organizatat që merren me të kthyerit thonë se këto familje jetojnë në vështirësi, ndërsa të rinjtë hasin në sfida për tu arsimuar dhe të diplomuarit po ashtu hasin në vështirësi për t’i verifikuar diplomat e fituara në Maqedoninë e Veriut me vula apostile. Disa familje kanë nevojë për përkujdes më të madh shëndetësor për shkak të një numri të personave me aftësi të kufizuar.
Një shqetësim tjetër i ngritur nga publiku u përmend edhe çështja e sigurisë publike ku banorët e kësaj ane përballen me vjedhje të mëdha shtëpish dhe u kërkua angazhimi më i madh i policisë. Aktivisti tjetër tha se komuniteti Rom përballet me papunësinë e të rinjve, deponitë ilegale krijohen vazhdimisht afër banimit të këtij komuniteti, dhe nuk kanë qasje në rrugën që qon në varrezat e tyre.
Nënkryetari i komunës së Graçanicës, z. Leutrim Ajeti ka qenë prezent në këtë tryezë dhe është përgjigjur në pyetjet e publikut që kishin të bënin me obligimet e komunës.