Featured Image

Avokati i Popullit vazhdon me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues

25/02/2022

Prishtinë, 25 shkurt 2022 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2022 me hetimin e hapur sikurse në vitin e kaluar përkitazi me shëndetin riprodhues, me fokus në tri çështje kryesore: shëndetin maternal; planifikimin familjar; dhe abortin në Kosovë.

Ashtu siç është theksuar në informatën e publikuar në nëntor të vitit 2021, ky hetim i përgjithshëm do të ketë shtrirje në zonat rurale dhe urbane, në të gjitha regjionet e vendit dhe do të ketë për bazë dëshmi të drejtpërdrejta nga gra/vajza, që potencialisht u janë cenuar të drejta që drejtpërdrejtë apo tërthorazi lidhen me shëndetin riprodhues. Po ashtu, gjatë hetimit do të intervistohen dëshmitarë dhe ekspertë, përfshirë shoqërinë civile, lidhur me shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit dhe të të drejtave seksuale dhe riprodhuese.

Ky hetim paraqet vazhdimësi të Vlerësimit të Përgjithshëm të të Drejtave dhe të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, i realizuar në vitin 2016 nga IAP-ja, me mbështetje të UNFPA-së, Zyra në Kosovë. Hetimi do të jetë gjithëpërfshirës, por me vëmendje të shtuar për grupet e cenueshme dhe të mbetura anash dhe do të trajtojë problematika që shfaqen në mënyrë sistematike në fushat e lartpërmendura. Metodologjia e punës për realizimin e këtij hetimi është në linjë me parimet e punës së Avokatit të Popullit, që nënkupton: mirëqeverisje, transparencë, gjithëpërfshirje, mosdiskriminim, ndjeshmëri gjinore, konfidencialitet, si dhe do ta ndjekë parimin për të mos bërë dëm.

Rikujtojmë se hetimi në fjalë nuk zëvendëson rolin e gjyqësorit dhe të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, por paraqet vazhdimësi të punës së IAP-së, në pajtim me mandatin që ka, për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërlidhur ngushtë me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, veçanërisht me disa nga synimet e Objektivit 3: “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat.”; dhe të Objektivit 5: “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.”

Në përmbushje të dimensionit publik që ka ky hetim, IAP-ja njofton se gjatë këtij viti do të organizohen intervistat sy më sy dhe fokus-grupet me viktimat potenciale të shkeljeve të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues, në tërë vendin, si dhe takimet me organizatat joqeveritare dhe debate publike.

Po ashtu parashihet organizimi dhe mbajtja e raundit të dytë të fokus-grupeve në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren, në Mitrovicë, në Gjilan dhe në Ferizaj, si vazhdimësi e aktivitetit të fokus-grupeve të mbajtura në vjeshtën e vitit 2021 (njoftimi për datat specifike do të bëhet me kohë). Në këtë vit përqendrimi do të jetë më i madh në zonat rurale dhe tek ato kategori shoqërore të margjinalizuara e për rrjedhojë lehtësisht më të cenueshme.

Gjithsesi IAP-ja do të adresojë edhe kërkesa për informata zyrtare, të dhëna të përditësuara dhe për intervista edhe autoriteteve relevante, përkitazi me çështjet të cilat janë duke u hetuar.

IAP-ja dhe UNFPA-ja bëjnë thirrje publike për informata përkitazi me tri çështjet në fokus të këtij hetimi dhe inkurajojnë gratë dhe vajzat, që konsiderojnë se mund të ndajnë me ne përvojat e tyre dhe mund të kontribuojnë me dëshmitë e tyre nga perspektiva e çështjeve që u theksuan më lart, të bëhen pjesë e intervistave, takimeve të fokus-grupeve, si dhe debateve publike sipas regjioneve ku jetojnë dhe veprojnë. Thirrja u atribuohet edhe individëve të interesuar, përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe ekspertëve, për të ndarë përvojat e tyre personale ose ato përvoja ku mund të kenë qenë dëshmitarë të cenimit të të drejtave të garantuara, që janë në vëmendje të këtij hetimi.

Gratë dhe vajzat, ashtu sikurse edhe të interesuar/a të tjerë/a që janë të gatshëm të ofrojnë përvojat e tyre për sa u tha më lart, mund të lajmërohen në numrin e telefonit në IAP 0800 15555 (thirrja është falas). Për çfarëdo reference, dëshmi apo përvojë që ndahen në intervista dhe në fokus-grupe, do të ruhet anonimiteti.