Featured Image

Avokati i Popullit ia dorëzoi Kuvendit të Republikës së Kosovës raportin e 21 vjetor

31/03/2022

Prishtinë, 31 mars 2022 – Avokati i Popullit, në bazë të nenit 135, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 29, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, ia ka dorëzuar sot Raportin për vitin 2021 Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Raportimi vjetor i IAP-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pasqyrim i gjendjes së të drejtave dhe të lirive të njeriut përgjatë vitit raportues, si dhe reflektim i punës dhe i rolit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm i pavarur kushtetues, në mbikëqyrjen dhe në vlerësimin e punës së autoriteteve publike, përkitazi me respektimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve, miradministrimin, transparencën dhe llogaridhënien.

Raporti po ashtu përmban rekomandimet, opinionet dhe propozimet nga Avokati i Popullit për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut. Raporti paraqet rastet e shkeljeve sistematike dhe individuale të lirive dhe të të drejtave të njeriut dhe aktivitete të institucionit kundrejt promovimit dhe edukimit për të drejtat e njeriut në shumë nivele.

Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë plenare në të ardhmen, sikurse është e paraparë në nenin 29, paragrafi 3, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.