
Avokati i Popullit diskutoi me shoqërinë civile për të drejtat e njeriut
Prizren, 31 mars 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj me bashkëpunëtorë organizoi të enjten një tryezë diskutimi me pjesëmarrës nga shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve publike, media dhe aktivistë në Prizren për të diskutuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, trajtimi i barabartë dhe pa diskriminim, si dhe sfidat për respektimin e tyre.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se dialogu me shoqërinë civile ka për qëllim që ai të jetë më afër qytetarëve dhe të prezantojë mandatin dhe rolin e tij.
Në këtë diskutim u shpalosen shumë çështje dhe sfida duke u nisur nga ato sociale, të arsimit, sfidat e personave me aftësi të kufizuara në qasje në rrugë dhe përdorimi i gjuhëve zyrtare.
Organizatat e shoqërisë civile që merren me personat me aftësi të kufizuar theksuan sfidën e madhe që ka ky komunitet duke u diskriminuar për mos qasje në infrastrukturë publike dhe mungesë të transportit.
Një çështje tjetër që prek personat me aftësi të kufizuar është problemi me komisionin për vlerësim të aftësisë së kufizuar e cila nuk bëhet sipas shkallshmërisë së aftësisë. Problem tjetër për këtë kategori të qytetarëve mbetet edhe çështja e asistencës dhe punësimit të tyre.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e këtij takimi dhe kërkuan që takime të tilla të ndodhin edhe në të ardhmen duke veçuar Institucionin e Avokatit të Popullit si një adresë e veçantë për të adresuar sfidat dhe problemet e tyre.
Fushata “Barazi për të gjithë” ka filluar më 1 mars 2022 , tryeza e parë është mbajtur në Prishtinë ndërsa e dyta realizohet në Prizren.