Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit
Prishtinë, 22 mars 2022 – Që nga viti 1992, është përcaktuar që më 22 mars të shënohet Dita Botërore e Ujit, e shpallur si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, qëllimi i së cilës është rritja e rëndësisë së mbrojtjes së ujërave dhe sigurimin e ujit të pijshëm në mbarë botën. Synim tjetër me rëndësi e shënimit të Ditës Botërore të Ujit, është tërheqja e vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe apelimit të të gjithëve që të ndihmojnë rregullimin e burimeve të tij.
Rëndësia e sigurimit, administrimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të sigurta, qartazi është specifikuar edhe në Agjendën 2030, të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila në objektivin nr.6 synon ujin e pastër dhe kanalizimet për të gjithë: “Objektivat përfshijnë arritjen e sigurimin të aksesit universal dhe të barabartë me ujë të pijshëm të sigurt dhe të përballueshëm, kanalizime dhe higjienë për të gjithë; reduktimin e ndotjes; rritja e efikasitetit të përdorimit të ujit; dhe promovimin e menaxhimit në pjesëmarrjen e shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve.” Kjo objektivë si e tillë është mbështetje dhe synim i zbatimit të plotë të standardeve ndërkombëtare, të përcaktuara posaçërisht me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, [neni 25], Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave [neni 14 (2) (h)] dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966), [neni 11 dhe 12], të cilat kërkojnë nga shtetet të njohin dhe të garantojnë një standard adekuat të jetesës që siguron shëndetin dhe mirëqenien e secilit individ ku përfshihet edhe e drejta për ujë të pastër.
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Ujit, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë autoriteteve të veshura me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e mjedisit, pjesë e së cilës është e drejta për ujë të pastër, të angazhohen në vazhdimësi për sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët e vendit, gjithashtu të punojnë më tej në ngritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e cilësisë së ujit në vend, si burim kryesor i jetës së shëndetshme. Obligimet pozitive të shtetit, në respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm janë të pakontestueshme dhe si të tilla kërkojnë angazhim serioz të autoriteteve shtetërore në zbatimin efektiv të tyre për jetësimin e rezultateve konkrete dhe të prekshme.
Në anën tjetër, duke qenë se simbolika e kësaj dite është përqendrimi i vëmendjes në vetë cilësinë e ujit, Avokati i Popullit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, për kujdesin dhe ruajtjen e mjedisit, në veçanti për kujdesin e shtuar për ruajtjen e ujit të pastër, duke qenë se si i tillë është burimi kryesor i jetës së shëndetshme.