U mbajt tryeza me temën “Mbledhja dhe raportimi i të dhënave në sektorin shëndetësor”
Prishtinë, 18 mars 2022 – Duke e pasur parasysh rëndësinë e të dhënave shëndetësore dhe segmentet e shumta ku ato mund të shfrytëzohen dhe të shërbejnë, e që nga nga përspektiva e të drejtave të njeriut, janë qenësore dhe të domosdoshme, në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) u mbajt sot tryeza me temën “Mbledhja e të dhënave dhe raportimi i të dhënave në sektorin shëndetësor”, ku i pranishëm ishte edhe Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj.
Kjo Tryezë kishte në fokus nxjerrjen në pah të papajtueshmërive në metodologjinë dhe standardet e mbledhjes së të dhënave brenda sektorit shëndetësor dhe raportimin e tyre në ASK. Gjatë diskutimeve u theksuan problemet kyçe në zingjirin e grumbullimit dhe raportimit të të dhënave, domosdoshmërinë për qartësimin e roleve institucionale përkitazi me përgjegjësitë në këtë aspekt dhe nevojën e një pune bashkëpunuese dhe koordinuese, për të pasur të dhëna të plota, të sakta, kredibile dhe në kohë.
Akterë nga institucionet përgjegjëse të sektorit shëndetësor: Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Instituti i Mjekësisë Ligjore, organizata joqeveritare (AMC, CDF), përfaqësues nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, zyrat në Kosovë (OHCHR, WHO,UNFPA, UNICEF), bashkë me përfaqësues nga ASK dhe IAP, bashkëbiseduan në rrafsh profesional dhe teknik për problematikat e identifikuara.
Diskutimi si tërësi, por gjithashtu konkludimet dhe rekomandimet nga të pranishmit, do të kenë vëmendjen e veçantë gjatë një hetimi Ex Officio që Avokati i Popullit do ta bëj lidhur me të dhënat në sektorin shëndetësor – rëndësinë e saktësisë, plotnisë dhe besueshmërisë që ato kanë dhe për të skanuar gjendjen, përgjegjësitë, si dhe për të adresuar rekomandimet në funksion të gjetjes së zgjidhjeve në pajtim me standardet më të mira e në pajtim me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe përkushtimin në thelb të Axhendës 2030 – për të mos lënë askënd pas.
Tryeza u inicua nga Grupi punues për operacionalizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet IAP dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me qëllim mbështetjen e zbatimit dhe matjen e të drejtave të njeriut dhe Axhendën 2030.
Ky aktivitet do të pasohet nga disa tryeza me tematika specifike dhe grumbullimin e raportimin e të dhënave lidhur me to , në funskion të përmbushjes së rolit që ka IAP, si urë lidhëse ndërmjet mbajtësve të të drejtave dhe shtetit, lidhur me dizajnimin dhe monitorimin e politikave, strategjive dhe veprimeve.
Agjenda 2030 është bërë obliguese për vendin, që nga miratimi i Rezolutës për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vitin 2018. Kjo agjendë paraqet një plan veprimi të nivelit global, në linjë me të cilin shtetet kanë shprehur përkushtimin dhe përpiqen të jenë partnerë për të përmbushur 17 objektiva, me169 caqe specifike të synuara, të cilave u korrespondojnë 231 tregues . Ky dokument në thelbin e vet, si shtylla kyçe të vizionit universal që mbart, vë: popullatën, prosperitetin, planetin, paqen dhe partneritetin (të njohura si pesë P-të), e tek të cilat mbështetet zhvillimi i vërtetë, rrjedhimisht edhe i qëndrueshëm ( për më tepër SDG Indicators — SDG Indicators (un.org)