Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit
Prishtinë, 15 mars 2022 – Simbolika e kësaj date, shërben si një moment për të rikthyer vëmendjen e institucioneve tona, në zbatimin e Rezolutës 39/248 të Kombeve të Bashkuara, Udhëzimit për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit, si dhe ligjit për mbrojtën e të drejtave të konsumatorëve të nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Mbrojtja e të drejtave të konsumatorit, kërkon angazhim dhe përkushtim edhe më të madh të institucioneve relevante që merren me avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit taksapagues. Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorit ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe të sigurisë së konsumatorëve dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive në treg. Ndonëse Kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës siguri dhe cilësi në furnizimet e ofruara, mbetet sfiduese për institucionet dhe shoqërinë tonë siguria e ushqimit, si në prodhimet e tregut vendor, ashtu edhe në mallrat e importuara.
Ligji nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili është i harmonizuar edhe me direktivat e Bashkimit Evropian që rregullojnë këtë fushë, zbatohet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet konsumatorëve nga njëra anë dhe prodhueseve, furnizuesve, shitësve apo ofruesve të produkteve apo shërbimeve nga ana tjetër, për të mbrojtur konsumatorin nga praktikat e padrejta në tregun e Republikën Kosovës.
Avokati i Popullit, si mekanizëm shtetëror i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, kërkon nga institucionet përgjegjëse që të vazhdojnë të ushtrojnë mbikëqyrje të shtuar ndaj prodhueseve, furnizuesve, shitësve apo ofruesve të produkteve apo shërbimeve, sidomos në këtë periudhë kur praktikat abuzive me rritje çmimesh dhe aplikim të praktikave të padrejta dëmtojnë drejtpërdrejtë konsumatorin.
Nëpërmjet kësaj deklarate Avokati i Popullit po ashtu rikujton edhe vet konsumatorin për të drejtat që ka dhe rolin e rëndësishëm që luan për të mos iu nënshtruar abuzimeve ose formave tjera të keqpërdorimeve në treg, duke ruajtur në këtë mënyrë shëndetin dhe mirëqenien personale të familjes.