
Avokati i Popullit vizitoi komunat e Bujanocit dhe Preshevës
Prishtinë 11 mars 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj me ftesë e Këshillit Kombëtar Shqiptar vizitoi të enjten komunat e Bujanocit dhe Preshevës për tu njoftuar me pozitën e shqiptarëve në këto komuna si dhe për tu informuar me nivelin e respektimit të të drejtave dhe lirive të tyre.
Fillimisht z. Qelaj u prit nga z. Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i cili foli për organizimin dhe funksionimin e këshillit, dhe vuri theksin në çështjet me të cilat përballet komuniteti shqiptar siç janë: pasivizimi i adresave të shqiptarëve, mos-njohja e diplomave, punësimi i vogël i shqiptarëve në institucionet publike, kufizimi i të drejtës për përdorim të simboleve kombëtare dhe mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Z. Qelaj tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesa nga qytetarët e Luginës dhe është njoftuar me problemet me të cilat ballafaqohen ata si në Kosovë si dhe në komunat e Luginës.
Lidhur me këtë, Avokati i Popullit ka dal me dy raporte me rekomandime lidhur me pamundësinë për tu pajisur me dokumente dhe mungesën e statusit për qëndrim ligjor e pa shtetësi efektive. Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë që të sigurojnë numrin e saktë të banorëve të paregjistruar dhe pa dokumente personale dhe të marrin masa për regjistrimin e tyre.
Avokati i Popullit takoi po ashtu kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi me të cilin biseduan për sfidat e studentëve nga Lugina dhe që nuk munden të pajisen me leje pune në Kosovë. Avokati i Popullit po ashtu takoi edhe kryetarin e Kuvendit Komunal, z. Enver Ramadani.
Z.Qelaj takoi edhe nënkryetarin e komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa i cili ritheksoi sfidat e banorëve të kësaj ane në Kosovë dhe numri i madh i të papunëve në këtë komunë. Avokati i Popullit po ashtu takoi z. Shaip Kamberi, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Në të gjitha takimet shqetësimet kryesore ishin pasivizimi i adresave që po ndikon që qytetarët e këtyre komunave të privohen nga shumë të drejta të tjera që ndërlidhen me këtë veprim, pastaj çështja e mos-njohjes së diplomave e cila po ua pamundëson të rinjve që të kenë një perspektivë në këtë rajon gjë që ka shtuar numrin e të rinjve që po largohen nga vendi dhe çështja e integrimit ngase statistikat tregojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve të punësuar në institucionet publike është shumë e ulët në krahasim me përqindjen e popullatës së përgjithshme në këto komuna.