Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

08/03/2022

Prishtinë, 8 mars 2022 – Me rastin e shënimit të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Avokati i Popullit, si mekanizëm shtetëror i barazisë, me mandat për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, tha se kjo ditë po e gjen Kosovën në vazhdën e përpjekjeve për të sfiduar pabarazitë gjinore, që kryesisht ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e vajzave dhe grave.

Kosova vazhdon të sfidohet me fenomenet destruktive siç janë dhuna në baza gjinore dhe ajo seksuale, e veçanërisht shqetësuese mbeten rastet e shumta të vrasjeve të grave si pasojë e dhunës në familje.

Mekanizmat shtetërorë që janë krijuar për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje janë sfiduar po ashtu në mungesën e funksionimit të duhur të njërës hallkë të zingjirit mbrojtës. Institucionet duhen të punojnë më shumë që garancitë kushtetuese, legjislacioni primar si dhe standardet e përcaktuara në instrumentet dhe konventat ndërkombëtare, të gjejnë zbatim të plotë dhe faktik sa i përket luftimit të pabarazisë gjinore.

8 marsi duhet të na përkujtojë të gjithëve se duhet të flasim për pabarazitë gjinore për çdo ditë të vitit dhe të luftohet çdo formë e diskriminimit, dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Këto padrejtësi ndaj grave dhe vajzave ndikojnë shumë në aftësinë e tyre për të ngritur një familje, për të kryer një punë apo të ushtrojnë të drejtat e tyre në përgjithësi.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar tërë kohën në mënyrë që garancitë kushtetuese, legjislacioni primar si dhe standardet e përcaktuara në instrumentet dhe konventat ndërkombëtare, të gjejnë zbatim të plotë dhe faktik, duke u bërë të prekshme dhe të arritshme për secilën vajzë dhe grua në Kosovë.