Avokati i Popullit nisi fushatën “Barazi për të Gjithë” për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar
Prishtinë, 1 mars 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj organizoi një tryezë për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Zero Diskriminim duke mbledhur deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatat jo-qeveritare për të diskutuar për sfidat dhe problemet në luftimin e diskriminimit në vend.
Z. Naim Qelaj tha se Avokati i Popullit si mekanizëm i barazisë ushtron mandatin e tij për promovim, monitorim dhe mbështetje të trajtimit të barabartë pa diskriminim në bazat e mbrojtura nga Ligji për Barazi Gjinore dhe nga Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Avokati i Popullit ushtron mandatin e tij përmes hetimit të rasteve të diskriminimit, mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, promovimit të praktikave të mira në promovimin e barazisë, informimit të publikut për rastet e diskriminimit, trajtimin e rasteve që lidhen me diskriminimin gjinor dhe bashkëpunimit me partnerë socialë, me organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare.
“Bëj thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të promovuar diversitetin, tolerancën dhe gjithë përfshirjen, duke kujtuar përcaktimin në Deklaratën universal për të drejtat e njeriut se ‘të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta’“ tha z. Qelaj.
Pjesëmarrësit nga organizatat jo-qeveritare që përfaqësojnë komunitetet me persona me aftësi të kufizuar dhanë kontributin e tyre duke shprehur brengat për sfidat dhe problemet që ata hasin në jetë.
Ata theksuan se nevojat janë të shumta si për fëmijët në lidhje me edukimin e hershëm, aftësimi dhe riaftësimi profesional, punësimi i personave me aftësi të kufizuar, krijimi i qasjes në hapësirat publike dhe shumë çështje tjera.
Avokati i Popullit po ashtu nisi fushatën e institucionit për këtë vit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, si pjesë e fushatës globale.
Fushata do të synoj ndër të tjerash që të dëgjoj personat me aftësi të kufizuar për të siguruar informacion të plotë se sa po respektohen të drejtat e tyre, të analizoj zbatimin e ligjeve që janë në fuqi me fokus në qasje në informacion, hapësira publike, në drejtësi, në arsim, në punësim dhe në ofrimin e shërbimeve, duke nxjerrë rekomandime të qarta për të gjitha autoritetet vendimmarrëse dhe kompetente.