Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi organizatën Handikos në Prishtinë

20/01/2022

Prishtinë, 20 janar 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj së bashku me kolegët nga departamenti për mbrojtje nga diskriminimi vizituan organizatën jo-qeveritare “Handikos”, organizatë e paraplegjikëve dhe e paralizës së fëmijëve të Kosovës.

Qëllimi i vizitës ishte për të parë për së afërmi shërbimet e kësaj kjo organizate e cila ka shumë vite që punon në mbrojtje dhe promovim të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

Z.Qelaj tha se institucionet vendore duhen të marrin më shumë përgjegjësi dhe të kenë më shumë vëmendje në kërkesat e këtyre organizatave.

“Viti 2022 do të jetë viti për personat me aftësi të kufizuara. Pa dyshim që unë do i bashkëngjitëm kësaj fushate, duke qenë më shumë prezent në terren. Gjatë këtyre takimeve do të arrij të identifikoj problematikat dhe do dal me rekomandime për institucionet që të përmirësohet gjendja e personave me aftësi të kufizuara”, tha z. Qelaj.

Drejtori i organizatës, z. Afrim Maliqi mirëpriti vizitën e Avokatit të Popullit dhe i shpjegoi se ky komunitet vazhdon të sfidohet me problematika si në fushën e arsimit, shëndetësisë, por edhe sfida e vazhdueshme që është mos ofrimi i qasjes së plotë infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

“Nuk kemi qëndrueshmëri financiare. E në mungesë të tyre, jeta e fëmijëve dhe të rriturve vështirësohet edhe më tepër. Ne këto shërbime i ofrojmë nga vitet e ‘90-ta. Ne punojmë në dy drejtime: ofrimin e shërbimeve edhe njëkohësisht avokimin për të drejtat e tyre”, tha z. Maliqi.

Avokati i Popullit dhe z. Maliqi u pajtuan që të koordinohen në aktivitetet e përbashkëta dhe në identifikimin e temave që do t’i trajtojnë së bashku gjatë këtij viti.