Featured Image

Avokati i Popullit dhe Auditorja e Përgjithshme realizuan një takim virtual me Ombudsmanin dhe Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit

17/01/2022

Prishtinë, 17 janar 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dhe Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, realizuan një takim njoftues virtual me z. Matanyahu Engelman, Auditor dhe Ombudsman i Izraelit dhe znj. Dr. Esther Ben-Haim, Shefe e Zyrës së Ombudsmanit në Izrael.

Avokati i Popullit z. Qelaj dhe Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca e njoftuan homologun e tyre lidhur me rolin, mandatin dhe bazën kushtetuese dhe ligjore mbi të cilën realizojnë misionin e tyre, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballën dhe mundësitë dhe vizionin e tyre për t’i trajtuar ato në ardhmen.

Në anën tjetër, z. Matanyahu dhe znj. Ben- Haim, prezantuan mandatin dhe punën e tyre dhe gjithashtu njoftuan lidhur me organizimin unik të këtij institucioni në Izrael, në të cilin institucioni i Ombudsmanit dhe Auditorit Shtetëror veprojnë nën të njëjtën ombrellë, të ndara në dy departamente të veçanta, njëri sa i përket auditimit dhe tjetri për trajtimin e ankesave lidhur me të drejtat e njeriut. Ata njoftuan që ky institucion u themelua në vitin 1949, i cili në baza vjetore auditon 1500 autoritete shtetërore, lëshon 120 raporte të auditimit dhe pranon 18,000 ankesa. Ata tutje shtuan se me kënaqësi mirëpresim iniciativa të shkëmbimit të stafit përmes organizimit të tryezave të diskutimit për tematika të të drejtave të njeriut të cilat janë në interes të përbashkët.

Avokati i Popullit të Republikës së Kosovës e falënderoi homologun e tij izraelit për takimin dhe e mirëpriti gatishmërinë e tij për bashkëpunim në të ardhmen. Si shtete me një lidhje shumë të fortë historike, të cilat kanë pasur fate të ngjashme, hapja e shtigjeve të reja për bashkëpunim është shumë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për të kontribuar dhe për të ndikuar në avancimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, në të dy shtetet.