Featured Image

Avokati i Popullit foli për rolin dhe mandatin e tij me gjyqtarët e sapoemëruar

12/01/2022

Prishtinë, 12 dhjetor 2021 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë organizuan një takim informues me gjyqtarët e sapoemëruar për rolin dhe mandatin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj foli për historikun e institucionit dhe në veçanti për rolin dhe mandatin e tij. Ai i uroi gjyqtarët e rinj për detyrën e re duke iu dëshiruar suksese në punën e tyre.

Z. Burim Tahiri, këshilltar i lartë juridik në departamentin për çështje juridike në IAP, shpjegoi procedurat e hetimit të ankesave në pretendimet e qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut, e deri te përgatitja e rekomandimeve për rastet e tilla.

Znj. Shqipe Mala, drejtoreshë e mekanizmit kombëtar për parandalim të torturës foli për mandatin dhe punën e këtij mekanizmi i cili harton dhe publikon raporte me rekomandime, të dala nga trajtimi i ankesave dhe kërkesave dhe vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria.

Z. Isa Hasani, drejtor i departamentit për pranimin dhe shqyrtimin e ankesave në IAP, foli për relacionet në mes IAP-së dhe gjyqësorit, dhe po ashtu shpjegoi procedurat e pranimit të ankesave dhe shqyrtimi i tyre nëse ankesat, kërkesat apo njoftimet e pranuara janë brenda kompetencave dhe përgjegjësive të IAP-së.

Akademia e Drejtësisë organizon trajnim një vjeçar për gjyqtarët e sapoemëruar, ku krahas trajnimit praktik nëpër gjykata, gjyqtarët të cilët janë duke e ndjekur trajnimin fillestar realizojnë vizita në institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës.