
Avokati i Popullit mori pjesë në lansimin e raportit “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”
07/12/2021
Prishtinë, 7 dhjetor 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në lansimin e raportit “Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, e publikuar nga organizata jo-qeveritare “Fol”.
Ky raport kishte për qëllim avokimin dhe tërheqjen e vëmendjes institucionale për rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrje Elektronike, që do të shërbente për mbrojtjen viktimave të krimit në përgjithësi, e me fokus në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kritikuar institucionet për moszbatim të këtij ligji dhe konsideron si shkelje të të drejtave të njeriut. “Ende vazhdojmë të dëgjojmë se ka ligje të mira, por që nuk zbatohen dhe kjo kalon me një konstatim deklarativ duke mos i ndëshkuar ata që nuk i zbatojnë ligjet. Moszbatimi i Ligjit konsiderohet veprim i ndaluar dhe shkelje, ku lë të kuptohet që institucionet tona po dështojnë në përmbushjen e detyrimeve te tyre”.