Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në tryezën e diskutimit në lidhje me personat e pagjetur

10/12/2021

Prishtinë, 10 dhjetor 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj të premten mori pjesë në tryezën e diskutimit “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut – Shkelja e të Drejtës për të Ditur”, e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me shkeljet kryesore të të drejtave të njeriut, gërmimet në pritje, morgun e Prishtinës dhe ligjin për personat e zhdukur, me ç ‘rast pjesëmarrësit në Panel u përgjigjen edhe në pyetjet e përfaqësuesve të familjarëve të personave të zhdukur në lidhje me shqetësimet e tyre sa i përket krimeve të luftës dhe zbulimit të fatit të personave të pagjetur.

Avokati i Popullit ndër tjera tha se sa i përket krimeve të luftës dhe personave të pagjetur institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm dhe kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet.

“Duhet të zbulohen informacionet se ku janë të pagjeturit dhe fati i tyre vazhdon të jetë peng i politikës. Duhet të jetë një strategji gjithëpërfshirëse dhe të përfshihen të gjitha palët që t’i jepet zgjidhje kësaj çështje,” tha z. Naim Qelaj.

Ai shtoi gjithashtu se për krijimin e një shoqëri demokratike, pajtimit, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, është obliguese që institucionet shtetërore të bëjnë dokumentimin e krimeve të ndodhura gjatë luftës dhe të ndriçohet fati i të gjithë personave të pagjetur.

Në këtë takim mori pjesë ambasadori britanik në Kosovë, z. Nicholas Abbott dhe përfaqësues të shoqërive civile për të pagjeturit dhe ato qeveritare.

Foto: Ambasada Britanike në Kosovë