Avokati i Popullit Naim Qelaj dhe mysafirët vizituan ekspozitën “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”
Prishtinë, 2 dhjetor 2021 – Në përfundim të takimit rajonal, z. Qelaj dhe mysafirët vizituan ekspozitën e fëmijëve “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” e dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, që gjendet në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.
Nën shoqërimin e z. Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, organizatë që ka krijuar këtë ekspozitë në maj 2019, u theksua nevoja për një lokacion të duhur që do të ofronte edhe mbrojtje më të mirë për gjësendet personale që gjenden në ekspozitë.
“Është përgjegjësi institucionale mbikëqyrja e kësaj ekspozite. Hezitimi me vendos dorën institucionale në këtë rast është goditje edhe për familjaret që kane dhëne kujtimet me te çmueshme nga ajo që ka mbet nga fëmijët e tyre të vrarë e të pa gjetur,” tha z. Qelaj.
“Gjithçka duhet bërë që vështrimi i tyre të paktën të jetë i qetë sepse njerëzimi ka mbajtur një qëndrim ndaj atyre që i kanë kryer këto krime. Vetëm atëherë mund të vijmë ne e të shohim si një të keqe të harruar, por për sa kohë që nuk ka përgjegjësi për ata persona që kanë kryer një veprim të tillë, askush prej nesh nuk mund të jetë i qetë për t’ua kthyer shikimin e këtyre fëmijëve, që sigurisht është një shikim tërësisht i pafajshëm,” tha znj. Bellanca.
“Edhe faktori ndërkombëtar si duket sa kalon koha krijohet një distancë dhe dalëngadalë sikur e barazon viktimën me agresorin. Madje, në raste të caktuara edhe e shpërblen. Që është një padrejtësi e rëndë,” tha z. Ziberi.
“Kisha pas dëshirë që të vijnë më shumë prej institucioneve në vizitë, e të mos i mbetet vetëm shoqërisë civile barra për memorializimin apo dokumentimin e së kaluarës por të marrin rol edhe institucionet përkatëse,” tha z. Blakaj.
Ekspozita është e kuruar nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000. Nga ta, 109 konsiderohen ende persona të pagjetur.