
Takimi i katërt rajonal në mes të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Prishtinë, 1 dhjetor 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj organizoi takimin e katërt rajonal në mes Avokatëve të Popullit, znj. Erinda Ballanca nga Shqipëria dhe z. Naser Ziberi, Avokat i Popullit nga Maqedonia e Veriut, si dhe me pjesëmarrjen e Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi nga Shqipëria, z. Robert Gajda.
Tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit midis katër institucioneve që për synim ka shkëmbimin e përvojave. Në takimin e sotëm Avokatët e Popullit dhe Komisionieri diskutuan për punën e tyre gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, me theks të veçantë në sfidat rreth masave të qeverive për vaksinimin e popullatës dhe balancimi i tyre me standardet për të drejtat e njeriut.
Po ashtu, temë diskutimi ishte edhe pavarësia e institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut dhe ndërveprimi i tyre me parlamentin. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut diskutuan edhe për planet dhe fushate specifike të bashkëpunimit në të ardhmen.
Po ashtu, ata gjatë ditës patën takime me Presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetutese, znj. Gresa Caka – Nimani. Në këto takime u diskutua gjendja e përgjithshme e të drejtave të njeriut në shtetet respektive dhe puna në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Të enjten, do të organizohet një forum diskutimi me anëtarët e shoqërisë civile dhe pasdite ata do të vizitojnë ekspozitën e Fondit për të Drejtën Humanitare, “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”.