Featured Image

Avokati i Popullit organizon fokus grupet përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues    

24/11/2021

Prishtinë, 24 nëntor 2021 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka hapur hetim të përgjithshëm për shëndetin riprodhues, me fokus në shëndetin maternal, në planifikimin familjar dhe në abortin në Kosovë.

Ky hetim, me shtrirje në gjithë vendin, pason Vlerësimin e Përgjithshëm të të Drejtave dhe të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, i realizuar në vitin 2016 nga IAP-ja, me mbështetje të UNFPA-së, Zyra në Kosovë.

Hetimi do të ketë për bazë dëshmi të drejtpërdrejta nga gra/vajza, që potencialisht u janë cenuar të drejtat; dëshmitarë dhe ekspertë, përfshirë shoqërinë civile, lidhur me shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit dhe të të drejtave seksuale dhe riprodhuese.

Ky hetim nuk zëvendëson rolin e gjyqësorit dhe të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, por paraqet vazhdimësi të punës së Avokatit të Popullit, në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor, për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërlidhur ngushtë me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, veçanërisht me disa nga synimet e Objektivit 3: “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat.”; dhe Objektivit 5: “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.”

Hetimi do të jetë gjithëpërfshirës, por me vëmendje të shtuar për popullatat e cenueshme dhe të mbetura anash dhe do të trajtojë problematika që shfaqen në mënyrë sistematike në fushat e lartpërmendura.

Metodologjia e punës për realizimin e këtij hetimi është në linjë me parimet e punës së Avokatit të Popullit, që nënkupton: mirëqeverisje, transparencë, gjithëpërfshirje, mosdiskriminim, ndjeshmëri gjinore, konfidencialitet, si dhe do ta ndjekë parimin për të mos bërë dëm.

Duke pasur parasysh se hetimi do të ketë dimension publik dhe shtrirje në të gjithë vendin, si dhe do të ketë në qendër dëshmitë e vajzave dhe të grave, Avokati i Popullit, gjatë këtij muaji, organizon fokus-grupet e para në shtatë regjione të Kosovë, si më poshtë:

Prishtinë          26 nëntor 2021

Ferizaj             30 nëntor 2021

Gjakovë           3 dhjetor 2021

Prizren            6 dhjetor 2021

Pejë                  7 dhjetor 2021

Gjilan              8 dhjetor 2021

Mitrovicë        9 dhjetor, 2021

Avokati i Popullit dhe Zyra e UNFPA-së në Kosovë inkurajojnë gratë dhe vajzat, që konsiderojnë se mund të ndajnë me ne përvojat e tyre dhe mund të kontribuojnë me dëshmitë e tyre nga perspektiva e çështjeve që u theksuan më lart, të bëhen pjesë e takimeve të fokus-grupeve, sipas regjioneve ku jetojnë dhe veprojnë.

Numri i telefonit ku gratë dhe vajzat mund të paraqiten për fokus-grupet për shëndet riprodhues, është 0800 15555 (thirrja falas).

Në çfarëdo reference të dëshmive apo të përvojave që ndahen në fokus-grupe, do të ruhet anonimiteti.