Deklaratë e Avokatit të Popullit për Ditën Universale të Fëmijëve
Prishtinë, 20 nëntor 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, me rastin e Ditës Universale të Fëmijëve, kërkon nga të gjitha institucionet e Kosovës që t’i shtojnë përpjekjet dhe veprimet në drejtim të përmbushjes së detyrimeve karshi fëmijëve për respektimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Më 20 nëntor shënohet Dita Universale e Fëmijëve, kur edhe është miratuar Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dokument më i rëndësishëm ndërkombëtar që i referohet të drejtave të fëmijëve. Qëllimi i shënimit të kësaj dite, përveç të tjerash, është vënia në pah e rëndësisë që ka për shoqërinë promovimi i mirëqenies së fëmijëve dhe sigurimi i respektimit të të drejtave të tyre.
Edhe ky vit ishte i vështirë për fëmijët në Kosovë si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia dhe masave për ta parandaluar përhapjen e saj. Pandemia ka vazhduar të ndikojnë në fëmijë dhe në familjet e tyre, si dhe ka vënë në dukje edhe më tej shumë mangësi dhe mungesën e masave adekuate për realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Avokati i Popullit u bën thirrje qeverisë dhe institucionet përgjegjëse që në kuadër të planifikimit të tyre për rimëkëmbje ekonomike, ta marrin parasysh të drejtën e fëmijës për jetë dhe zhvillim. Ky planifikim, përveç që duhet të jetë gjithëpërfshirës, ai duhet të përmbajë veprime konkrete në mënyrë që të eliminohen pasojat dhe pabarazitë e shkaktuara nga COVID-19 në jetën dhe zhvillimin e fëmijëve.
Të gjitha institucionet publike dhe private duhet të zhvillojnë dhe të zbatojnë politika dhe programe për mbështetjen e fëmijës dhe të atyre që kujdesen për fëmijën, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së fëmijës dhe parandalimin e rrezikut për jetën, veprimet për mbrojtje nga dhuna, neglizhenca, abuzimi, keqpërdorimi, braktisja dhe shfrytëzimi, si dhe të sigurojnë zbatimin sipas standardeve të duhura të këtyre politikave dhe programeve nga ana e institucioneve dhe e organizatave të tjera që ofrojnë shërbime për mbrojtjen e fëmijës.
Avokati i Popullit i bën thirrje qeverisë që të hartojë dhe më pas të zbatojë një plan të përkrahjes së fëmijëve në përgjithësi, e atyre me aftësi të kufizuar në veçanti, për t’i kompensuar shërbimet shëndetësore të cilat janë pezulluar apo ndërprerë në periudha të caktuara gjatë pandemisë. Ndërsa në fushën e arsimit, duhet të punohet për fuqizimin dhe ofrimin më kualitativ të mësimit, në mënyrë që fëmijët të mos privohen nga e drejta për arsimim.
Një vëmendje e veçantë duhet kushtuar kompensimit të mësimit të humbur, kthimit në proces mësimor të fëmijëve që kanë braktisur shkollimin. Qeveria të sigurojë kushte dhe pajisje për fëmijët me aftësi të kufizuar, në mënyrë që ata të jenë të barabartë me fëmijët e tjerë në vijimin e arsimimit. Atyre duhet t’u sigurohet qasje në internet, pajisje teknologjike që janë të përshtatshme për nevojat e fëmijës, duke përfshirë edhe përkrahjen me pajisje ndihmëse dhe me staf adekuat profesional.