Avokati i Popullit merr pjesë në takimin e Ombudsmanëve të Mesdheut
05/10/2021
Prishtinë, 5 tetor 2021 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, po merr pjesë në takimin e 11-të të Asociacionit të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) me temë “Nga deti që na ndan tek, deti që na bashkon”, i cili po mbahet në Nafplio të Greqisë, për dy ditë më 4 dhe 5 tetor.
Në ditën e parë të këtij takimi, fokusi i diskutimeve ishte tek njerëzit në lëvizje dhe migracioni, pastaj ndryshimet klimatike dhe katastrofat natyrore si dhe roli i rëndësishëm i institucioneve të Ombudsmanëve në trajtimin e këtyre temave. Kurse në ditën e dytë po mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme, në të cilat do të diskutohen plani i aktiviteteve të kësaj shoqate për vitin e ardhshëm, raporti financiar, kërkesat e reja për anëtarësim si dhe votimi për anëtarët e rinj të bordit udhëheqës dhe ekzekutiv.
Asociacioni i Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), u krijua në vitin 2008 në Marsejë të Francës me qëllim të promovimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe paqes sociale në regjionit të Mesdheut. Ai punon për avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me organizata të tjera që janë të përkushtuara për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Instituticoni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, është anëtar me të drejta të plota në këtë Asociacion, që prej vitit 2016.
Në pritjen e organizuar për nder të këtij takimi e pranishme ishte edhe Presidentja e Republikës së Greqisë, znj. Katerina Sakellaropoulou.