MKPT organizoi tryezë për Ligjin për Shëndetin Mendor
Prishtinë, 30 shtator 2021 – Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në bashkëpunim me Këshillin e Evropës kanë mbajtur ditën e dytë të tryezës me temën “Trajtimi i pavullnetshëm me ndalim të personave me çrregullime mendore dhe zbatimi i Ligjit për shëndetin Mendor”. Qëllimi i kësaj tryeze ishte që arrihet koordinimi ndërinstitucional ne menaxhimin e këtyre rasteve.
Në ditën e dytë ishin pjesëmarrës përfaqësues nga gjyqësori, prokuroria, policia dhe institucionet e shëndetit mendor. Gjatë diskutimit u prezantuan sfidat që janë hasur nga profesionistët e shëndetit Mendor në trajtimin e pavullnetshëm me ndalim të rasteve me çrregullime kronike psikiatrike.
Ata thanë se ekziston mungesa e kapaciteteve të institucioneve të shëndetit Mendor, duke theksuar se Instituti i Psikiatrisë Forensike i ka vetëm 24 shtretër për trajtim të pavullnetshëm me ndalim dhe se aktualisht janë me kapacitete të plota. Sfidë tjetër është kërkesat e shumta për vlerësime psikiatrike, lista e pritjes për hospitalizim të rasteve me çrregullime mendore që kanë kryer vepra penale, e që vazhdojnë të qëndrojnë në institucione korrektuese.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Shëndetin Mendor në vitin 2015, nuk është nxjerr asnjë akt nënligjor që do të rregullonte shumë çështje, e sidomos vendosjen dhe trajtimin e pavullnetshëm te rasteve me probleme mendore. Avokati i Popullit u zotua qe do te jete zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës për t’i adresuar sfidat dhe problemet për përmbushjen e detyrave nga pozitat që i kenë te gjithë përfaqësuesit e institucioneve.
Edhe nga ana e gjyqësorit u pajtuan që problem janë mungesa e kapaciteteve në institucionet e shëndetit mendor dhe u diskutua se çdo vendim i tyre bazohet nga ekspertiza mjekësore. U potencua po ashtu se mungesa e kapaciteteve është problem i institucioneve si e Ministrisë se Drejtësisë dhe Ministrisë se Shëndetësisë.
Gjithashtu janë përmendur edhe gjetjet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, të cilët i kanë theksuar në raportin për Kosovën, si dhe gjetjet e MKPT-së të cilat me vite janë adresuar tek institucionet kompetente.