IAP-ja organizoi diskutim me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë për mbrojtjen nga diskriminimi
Prishtinë, 15 shtator 2021 – Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi të mërkurën një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të sistemit të drejtësisë në vend për të diskutuar për sfidat e zbatimit të ligjit për mbrojtje nga diskriminimi.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të bëhet promovim më i madh i këtij ligji dhe të identifikohen problemet se pse ky ligj nuk ka zbatim të duhur nga sistemi i drejtësisë. Ai shtoi se qytetarët janë në rend të parë që nuk po arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre kur ata sfidohen me diskriminimin.
“Se cilat përfitime kanë qytetarët nga ky ligj, padyshim se është një gamë e madhe e të drejtave që mund t’i realizojnë, qoftë përmes mbrojtjes së të drejtave që u takojnë, qoftë përmes fitimit të atyre të drejtave kur ato u janë mohuar”, tha z. Qelaj.
Ai shtoi se ky vit është vit për promovimin e ligjit duke mëtuar, ndër të tjera, të ngrihet vetëdijesimi i qytetarëve për ekzistimin dhe përfitimet që ky ligj ka për shoqërinë e gjerë.
Znj. Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tha se bashkëbisedimet e tilla u ndihmojnë institucioneve përkatëse si në shkëmbimin e përvojave, ashtu edhe në ngritjen e profesionalizmit dhe të kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë. Ajo foli për rolin e Gjykatës Kushtetuese në avancimin e jurisprudencës në fushën e barazisë dhe të mosdiskriminimit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj tha se do të bëhen përpjekje për t’i ngritur shkathtësitë dhe aftësitë e gjykatësve dhe të zhvillohen kapacitete më të mëdha në mënyrë që të ndryshohet praktika e punës lidhur me rastet kundër diskriminimit dhe të ofrohet mbrojtje gjyqësore duke zbatuar ligjin për mbrojtje nga diskriminimi.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe z. Jetish Maloku, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurore e shtetit, znj. Albina Shabani Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe z. Bekim Sejdiu, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Avokati i Popullit do të vazhdojë t’i mbledhë të gjitha grupet e interesit për të diskutuar për Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, në mënyrë që të gjejë zbatim më të madh dhe konkret nga ana e institucioneve të drejtësisë.