Featured Image

Takimi i grupit punues në funksion të operacionalizimit të Memorandumit ndërmjet IAP-së dhe ASK-së

01/09/2021

Prishtinë, 1 shtator 2021 – Në vazhdimësi të zbatimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) dhe Agjencisë së Statistikave (ASK), dje, me praninë e krerëve të të dy autoriteteve, z. Naim Qelaj, Avokat i Popullit dhe z. Ilir Berisha, u.d. Kryeshef i ASK-së u mbajt një punëtori e Grupit punues të themeluar si kërkesë e këtij Memorandumi.

Qëllimi i punëtorisë ishte shtyrja përpara e bashkëpunimit të ndërsjellë në përputhje me mandatet përkatëse ligjore dhe në rrjedhë të intensifikimit të përpjekjeve për operacionalizimin e Memorandumit në fjalë dhe bashkëveprimit institucional në fushën e statistikave zyrtare, në funksion të përmbushjes së Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030.

Zhvillimi dhe shfrytëzimi i të dhënave statistikore, për t’i vlerësuar dhe për t’i zbatuar politikat dhe programet që ndikojnë në respektimin dhe në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të njeriut dhe të Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, janë ndër synimet e këtij Memorandumi, i hartuar në pajtueshmëri me Rezolutën Nr. 06-R-001 të Kuvendit të Republikës së Kosovës; me Rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara “Transformimi I botës sonë: Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm(A/RES/70/1), si dhe duke pasur për bazë dokumente respektive ndërkombëtare, brenda domenit të të cilave bie roli dhe mandati i IAP-së, respektivisht i ASK-së.

IAP dhe ASK janë mbështetur nga Zyra për të Drejta të Njeriut e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, respektivisht Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (OHCHR) në Gjenevë, në kornizimin e bazës së këtij Memorandumi të Mirëkuptimit si dhe fushëveprimit dhe përmbajtjes së bashkëpunimit. E pranishme në punëtori ishte edhe një përfaqësuese nga Zyra e UN/OHCHR në Kosovë.