Featured Image

Avokati i Popullit publikoi Raportin Ex officio nr. 381/2020 në lidhje me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

18/08/2021

Prishtinë, 18 gusht 2021 – Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, publikoi Raportin me rekomandime Ex-officio nr.381/2020 në lidhje me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Rasti është hapur sipas detyrës zyrtare me qëllim që të identifikohen aktet nënligjore të përcaktuara me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Raporti vë në pah mungesën e respektimit të afateve ligjore për nxjerrjen e të gjitha akteve nga ana e institucioneve përgjegjëse, të parapara me ligjin në fjalë. Meqë deri më tani janë nxjerrë vetëm dy akte nënligjore nga 18 sosh sa janë paraparë, Avokati i Popullit u rekomandon institucioneve përkatëse nxjerrjen e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.

Avokati i Popullit vëren se neni 65 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës është një nen i rëndësishëm, i cili parasheh afatin ligjor prej një viti, nga hyrja në fuqi e ligjit, për nxjerrjen e akteve nënligjore për të siguruar zbatimin e ligjit në praktikë. Rrjedhimisht, nxjerrja e këtyre akteve, pos të tjerash, mundëson: bashkërendimin e veprimeve të autoriteteve përkatëse në nivel qendror dhe lokal; funksionimin e Këshillit për të drejtat e fëmijës; themelimin dhe funksionimin e Ekipeve për të drejtat e fëmijës; funksionimin e themelimit të tryezave multidisiplinore për ndihmë në menaxhimin e rastit; organizimin dhe fushëveprimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijës; marrjen e masave të duhura në mbrojtjen e fëmijës nga substancat narkotike dhe psikotrope; marrjen e masave të duhura parandaluese dhe mbrojtëse në ndalimin e pjesëmarrjes në klubet e natës dhe në lojërat e fatit; mënyrat e mbrojtjes së fëmijëve në masmedia, me theks të veçantë për fëmijët të cilët janë nën përkujdesje institucionale; marrjen e masave të duhura për mbrojtjen e fëmijëve nga internet-kafetë dhe video-lojërat, duke përfshirë masat specifike ndaj përmbajtjeve pornografike, ndëshkimin e abuzuesve me fëmijë në internet, reduktimin e qasjes së fëmijës në materiale të dëmshme për shëndetin dhe jetën e tyre, ofrimi i ndihmës për fëmijën që është në rrezik nga të gjitha format e dhunës përmes internetit.