Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim Avokatin e Popullit të Turqisë, z. Seref Malkoc
02/07/2021
Prishtinë, 2 korrik 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në një takim kurtuazie Avokatin e Popullit të Turqisë, z. Seref Malkoc dhe Ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, z. Cagrı Sakar.
Avokati i Popullit të Turqisë, z. Malkoc tha se e përcjell punën e Avokatit të Popullit të Kosovës me interesim të madh dhe shtoi së në të ardhmen duhen të realizohen takime të ndërsjella në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.
Z. Malkoc tregoi se Institucioni i Avokatit të Popullit në Turqi ka 270 punëtorë ku në mesin e tyre janë një numër i madh i ekspertëve me renome. Ai foli për periudhën e pandemisë gjatë vitit të kaluar në Turqi dhe shtoi se institucioni ka pranuar rreth 100 mijë ankesa nga qytetarët për çështje të ndryshme.
Z. Qelaj e falënderoi homologun e tij për vizitën e bërë dhe e informoi për punën dhe aktivitetet e institucionit në çështjet më të rëndësishme dhe për punën e bërë gjatë pandemisë për të cilën punëtorët e institucionit ishin të përkushtuar për të përmbushur mandatin.