Avokati i Popullit priti në takim Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi
13/07/2021
Prishtinë 13 korrik 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim znj. Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ata diskutuan për tema të përbashkëta që dalin nga mandatet e tyre e që kryesisht kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të qytetarëve që dalin nga ligjet për qasje në dokumente publike dhe mbrojtje të të dhënave personale.
Znj. Sogojeva Dermaku shpalosi vizionin e saj për fuqizimin e Agjencisë dhe planet për bashkëpunimin ndër-institucional dhe publik po ashtu në mënyrë që qytetarët të njoftohen sa më shumë për të drejtat e tyre rreth privatësisë.
Z. Qelaj falënderoi znj. Dermaku për vizitën dhe e uroi për postin e ri dhe i dëshiroi suksese gjatë mandatit të saj. Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë një qëllim të përbashkët në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ai u shpreh se është i gatshëm për bashkëpunim në mënyrë që të realizohen sa më mirë e me sukses objektivat duke shkëmbyer përvojat e njëri tjetrit.