Featured Image

Avokati i Popullit Naim Qelaj takoi kryekuvendarin e Shqipërisë, Gramoz Ruçi

22/06/2021

Tiranë, 22 qershor 2021 – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, i cili ndodhet në Shqipëri për takime zyrtare dhe pjesëmarrje në veprimtari të përbashkëta të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Z. Ruçi e uroi Avokatin e Popullit të Kosovës, z. Naim Qelaj suksese në detyrën e tij të re dhe shtoi se roli i Institucionit të Avokatit të Popullit është i madh në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, drejtësisë sociale, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Z. Qelaj falënderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për vlerësimet e larta për bashkëpunimin midis institucioneve të Avokatit të Popullit të të dy vendeve dhe vuri në dukje se roli i institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë vjen duke u fuqizuar dhe vëmendja e institucioneve shtetërore duke u rritur.

Ai tha se rekomandimet e Avokatit të Popullit janë në vëmendje edhe të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe zbatimi i tyre vlerësohet edhe si një tregues i rritjes së standardeve të të drejtave të njeriut në rrugëtimin evropian të Kosovës.