Featured Image

Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit

05/06/2021

Prishtinë, më 5 qershor 2021 – Avokati Popullit, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, vë në spikamë rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe ndikimin e tij në të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit edhe një herë fton të gjitha institucionet në vend për nevojën e renditjes së mjedisit në prioritete duke u fokusuar në veçanti në masa parandaluese dhe mënjanuese, në mënyrë që të respektohet e drejta e qytetarëve për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.

Pavarësisht obligimit kushtetuese për mbrojtje të mjedisit, bazës së mjaftueshme ligjore, vendi ende nuk ka arritur të bënte kthesë me të cilën do të zbeheshin ndërhyrjet arbitrare në ujë, ajër dhe tokë. Ajri jocilësor, uji i ndotur, shkarkimet e pakontrolluara, ndërhyrjet pa kriter në tokë, gurëthyesit dhe gurishtat, ndërtimet pa kriter jashtë parimeve të mirëfillta të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, dëmtimi i pyjeve, mosarritja e menaxhimit të duhur të mbeturinave, zhurma, mungesa e aktiviteteve rehabilitues etj. ka vazhduar me temp të njëjtë.

E drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, qasja në informata dhe qasja në drejtësi (realizimi i të drejtave në gjykata) lidhur me çështjet mjedisore vazhdon të mbetet sfidë. Ende nuk është shënuar përmirësim në balancimin e drejtë mes interesave për zhvillimin e projekteve dhe mbrojtjes së mjedisit, nëpërmjet vlerësimeve profesionale të ndikimit në mjedis, me të cilat do të kontribuohej në ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit të njeriut si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Duke iu bashkuar fushatës botërore “Restaurimi i Ekosistemit”, Avokati i Popullit, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, shëndetit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, fton autoritetet kompetente që me hapa të përshpejtuar të ndërmarrin masa në drejtim të pengimit, mosdegradimit, mënjanimit dhe përmirësimit të mjedisit.