Featured Image

Takohen Avokatët e Popullit nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, Ballanca-Ziberi-Qelaj

27/05/2021

Prishtinë, 27 maj 2021 – “Shpresoj që në të ardhmen bashkëpunimi të forcohet, me takime të shpeshta të Avokatëve të Popullit nga rajoni, sepse pak a shumë të gjithë përballemi me të njëjtat probleme. Unë besoj se në periudhën e ardhshme duhet të punojmë në forcimin e kapacitetit të institucioneve, si dhe për pavarësi më të madhe financiare. Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira midis Avokatëve të Popullit do të jetë me përfitim të madh për ne,” tha Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut, Naser Ziberi.

“Jemi të lumtur që jemi këtu në këtë takim të institucioneve kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në 3 vendet tona. Në të tria shtetet nga ne vijmë ka shumë për të bërë për mbrojtjen e këtyre të drejtave andaj të ndërgjegjshëm për këtë fakt u mblodhëm jo për turizëm zyrtar, por për të bashkërenduar një marrëveshje që do t’i ndihmojë institucionet tona në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri të mbështeten tek njëra-tjetra, do ta kompensojë pamundësinë e njërit me përvojën e tjetrit e do t’u japë qytetarëve tanë një standard më të mirë të adresimit të ankesave të tyre ndaj punës së autoriteteve tona,” tha znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit e Shqipërisë.

“Ne tashmë kemi krijuar një traditë të bashkëpunimit midis tre institucioneve. Ky takim gjithashtu synon të vazhdojë në këtë frymë për të kontribuar më tej në punën tonë të përbashkët. Duke kaluar të gjithë situatën pandemike dhe duke u përballur me shumë sfida, ne kuptuam se bashkëpunimi dhe solidariteti janë dy shtyllat kryesore të shoqërisë. Nga kjo vizitë ne dolëm me disa sugjerime se si do të vazhdojmë të intensifikojmë punën tonë në të ardhmen. Takimin e shfrytëzuam edhe për ta uruar personalisht z. Naser Ziberi për marrjen e postit të Avokatit të Popullit dhe ne i urojmë suksese në mandatin e tij,” tha z. Naim Qelaj, Avokat i Popullit i Kosovës.