Avokati i Popullit diskutoi me shoqërinë civile dhe me mediat për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi
Prishtinë, 19 maj 2021 – Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) organizoi të martën një tryezë me temën “Roli i shoqërisë civile dhe mediave në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi”, ku morën pjesë përfaqësues nga shoqëria civile dhe nga media.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, njoftoi të pranishmit se viti 2021 do të jetë vit i promovimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe këtë po e nis pikërisht me shoqërinë civile dhe me mediat për të ngritur vetëdijen e publikut për diskriminimin.
“Duhet të jemi bashkë në këtë rrugëtim që publiku të njoftohet për këtë ligj me qëllim që të kuptojnë se cilat janë të drejtat e tyre dhe sa e lehtë është për ta nëse e përdorin këtë ligj për të ardhur deri te e drejta e tyre nëse u shkelet ndonjë e drejtë” – tha Avokati i Popullit.
Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi theksoi se nga monitorimi i seancave gjyqësore që monitorohen nga organizata e tyre, gjejnë se diskriminimi më i madh ndaj qytetarëve vjen nga sistemi i drejtësisë, ku rastet e qytetarëve nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Si IKD e kemi parë se sa i rëndësishëm është që të zbatohet ky ligj. Ne kemi bërë kërkesa për qasje në dokumente publike në të gjitha gjykatat e vendit për të parë se sa padi janë bërë në bazë të këtij ligji dhe kemi gjetur se numri është jashtëzakonisht i vogël” – tha Miftaraj.
Kreshnik Gashi, redaktor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” dhe anëtar i bordit në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi se diskriminimi ka shtrirje të gjerë në shoqëri duke vënë theksin në sektorin privat ku punëtorët privohen nga shumë të drejta themelore të punës.
“Situata është e njëjtë si në sektorët e tjerë po ashtu edhe në media. Gratë shtatzëna refuzohen ose tentohen të largohen nga vendet e punës, kushtet e punës nuk janë ende të mira” – tha Gashi, duke shtuar se Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi duhet të promovohet më shumë.
Merita Syla, drejtoreshë e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi, prezantoi doracakun për mbrojtje nga diskriminimi. Ajo theksoi se diskriminimi është problem serioz dhe i thellë dhe shkakton pasoja të dëmshme për tërë shoqërinë dhe e ngadalëson zhvillimin e saj.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile dhe gazetarë të cilët po ashtu prezantuan raste të diskriminimit bazuar në përvojat e tyre.
Në fund të tryezës, IAP-ha doli me disa konkluzione të nxjerra nga i gjithë diskutimi, duke përfshirë:
– Është konstatuar se ekziston nivel i ulët i zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi;
– nuk ka pasur promovim të mjaftueshëm në publik;
– nuk janë ndërmarrë veprime konkrete sipas dispozitave të ligjit që flasin për promovim;
– mungesë e theksuar e informimit për ligjin nga vetë profesionistët që e kanë mandat për ta zbatuar këtë ligj;
– mosnxjerrja e akteve nënligjore nga ky ligj;
– ekziston një qasje joserioze institucionale në raport me këtë ligj, pavarësisht peshës dhe rëndësisë që ka;
– ligji ka paqartësi dhe mungesë të përcaktimit të qartë të procedurave që duhen ndjekur në institucione në rastet kur qytetari kërkon mbrojtje ligjore nga diskriminimi;
– mungon fuqizimi i mekanizmave për zbatimin e këtij ligji;
– mungesa e edukimit medial dhe institucional; mungesa e harmonizimit të ligjeve me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi;
– të rritet bashkëpunimi në mes shoqërisë civile dhe mediave me Institucionin e Avokatit të Popullit;
– doracaku i radhës të përshijë edhe grupet e tjera të ndjeshme; sqarimi i mëtejmë i konfuzionit të krijuar brenda Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe
– monitorimi i zbatimit të ligjeve, sidomos monitorimi parlamentar i ligjeve.