Featured Image

Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë

17/05/2021

Prishtinë, 17 maj 2021 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, Institucioni i Avokatit të Popullit, si institucion me mandat për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, vë në spikamë garantimin e të drejtave të personave të komuniteteve LGBTI, të cilët vazhdojnë të jenë ndër grupet më të cenuara në shoqërinë tonë.

Ky komunitet vazhdon të sfidohet nga ngacmimi, diskriminimi dhe dhuna dhe si rrjedhojë mbesin të margjinalizuar e të stigmatizuar në shoqëri. Avokati i Popullit tha se të gjithë qytetarët e këtij vendi janë të barabartë dhe shteti e ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Këto garanci kushtetuese janë vlera themelore të një shoqërie demokratike, që i shërbejnë mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, lirisë dhe barazisë, dhe se këto vlera janë bazë themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës. Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi parasheh qartë parandalimin dhe luftimin e diskriminimit, duke përfshirë këtu edhe mbrojtjen e identitetit gjinor dhe orientimit seksual.

Avokati i Popullit sjell në vëmendje vendosjen e së drejtës nga ana e gjykatave sa i përket respektimit të së drejtës së personave për të vendosur për identitetin e tyre gjinor. Këto vendime demonstrojnë ndërgjegjësimin e institucioneve rreth të drejtave të këtyre komuniteteve dhe ftohen të gjitha institucionet e tjera dhe shoqëria në përgjithësi që të kontribuojnë në respektimin e legjislacionit vendor dhe të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Avokati i Popullit vazhdon të mbesë përkrahës i organizatave të shoqërisë civile, të cilat avokojnë për të drejtat e personave LGBTI, duke qenë partner i përhershëm në luftën kundër diskriminimit.