Featured Image

Avokati i Popullit mori pjesë në tryezë diskutimi për shkollat në vend

11/05/2021

Prishtinë, 11 maj 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë diskutimi e organizuar nga Instituti GAP që prezantoi raportin e saj “A kemi shkolla të tepërta? Nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”.

Z.Qelaj theksoi se në tërë Kosovën po ndodh zvogëlimi i numrit të nxënësve si pasojë e ndryshimeve demografike si rënia e natalitetit dhe migrimi, e kjo ndodh në veçanti në vendet rurale. Avokati i Popullit tha se e drejta e fëmijës për arsimim nuk është vetëm çështje e qasjes në arsim por edhe e cilësisë së tij. Ai shtoi se në një situatë të tillë duhet plan dhe strategji e analizuar mirë duke shfrytëzuar përvojat e vendeve që kanë kaluar këtë fazë, duke i përshtatur nevojave dhe kushteve tona.

Z.Qelaj tha se Ministria e Arsimit duhet të angazhohet që të vendosen standarde ligjore, të cilat do të krijonin praktika të njëjta të veprimit në përputhje me këtë situatë në tërë vendin, në mënyrë që të ketë trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe znj. Shqipe Bruçi, zëvendës drejtore e Departamentit për Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit, Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati dhe autori i hulumtimit, z. Bekim Salihu dhe Fjolla Kaçaniku nga Universiteti i Prishtinës. Të gjeturat e raportit tregojnë se nga viti shkollor 2008/2009 deri në vitin shkollor 2019/2020, numri i nxënësve ka rënë për 26%, apo për 114,323 nxënës. Në bazë të të dhënave të siguruara nga GAP, 19 komuna kanë 340 klasa me pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se dhjetë nxënës.