Featured Image

Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës 

01/05/2021

Prishtinë, 1 maj 2021 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, tërheq vëmendjen për gjendjen jo të mirë të punëtorëve. Shumë sfida mbesin përpara për të cilat duhet angazhim i të gjithë sektorëve për përmirësimin e kësaj gjendjeje. 

Avokati i Popullit për vite me radhë ka reaguar për parregullsitë në fushën e ligjit të punës dhe shkeljeve të  drejtave të punëtorëve, ku numri më i madh i rasteve ka të bëjë me diskriminimin. Për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, rastet e diskriminimit në vendin e punës ende raportohen shumë rrallë te mekanizmat mbrojtës, për shkak se punëtorët kanë frikë t’i raportojnë. 

Po ashtu, shqetësuese janë rastet e aksidenteve dhe fataliteteve në vendin e punës e në veçanti në sektorin e ndërtimit, për shkak të mungesës së respektimit të rregullave themelore të sigurisë në punë. Gjithashtu sfidë tjetër serioze është stërzgjatja e procedurave gjyqësore për zgjidhjen e kontesteve të punës që mbetet si pengesë për funksionimin e zbatimit të ligjit të punës sa i përket mbrojtjes gjyqësore të  drejtave. Një situatë e rëndë në mbrojtjen e punëtorëve është edhe informaliteti që po krijon evazion të  kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe rëndon ekonominë e vendit në përgjithësi. 

Këtë situatë e ka rënduar edhe më shumë përhapja e pandemisë COVID-19 dhe pasojat që ka shkaktuar si pasojë e masave kufizuese duke paralizuar shumë sektorë të punës dhe duke krijuar ngërçe të mëdha në funksionimin e tyre. Për ta përballuar këtë situatë krize, duhen bashkuar të gjitha forcat për të krijuar baraspeshë në mes të kufizimit të të drejtave në kohë krize dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e në këtë rast të drejtën për punë, si një e drejtë themelore e njeriut.