Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur
Prishtinë, 27 prill 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj përkujton këtë ditë për personat e pagjetur dhe gjendjen e rëndë të familjeve të tyre të cilët kërkojnë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Z. Qelaj theksoi se edhe pas 22 vitesh familjet e personave të pagjetur nuk dinë për fatin e të afërmeve të tyre. Ky është tregues i reagimit jo të duhur nga shteti dhe organet përgjegjëse për të ushtruar trysni te palët përgjegjëse dhe të sigurojnë të dhënat për fatin e tyre.
Familjarët kanë të drejtë për të ditur për më të dashurit e tyre dhe ngushëllimin do ta gjejnë vetëm atëherë kur të dinë për fatin e tyre. Sot familjet e viktimave kanë nevojë të përfundojnë këtë të kaluar tragjike dhe të dhimbshme dhe t’u lejohet të jetojnë si të tjerët duke u ofruar informacione dhe drejtësi.
Institucionet e Kosovës duhen të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe ti japin fund vuajtjeve të këtyre familjeve, fati i të pagjeturve duhet të jetë prioritet në çdo agjendë institucionale, në çdo takim dhe secilin rast të jetë kusht dhe adresimi i parë.
Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1639 persona të zhdukur në luftën e fundit.