
Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e 22 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Tokës
Prishtinë, 22 prill 2021 – Me rastin e 22 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Avokati i Popullit, institucion kushtetues për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe të lirive themelore, kërkon vëmendjen e të gjithëve për rëndësinë e tokës, si burim i jetës dhe i shëndetit, dhe e drejtë e njeriut.
Përkundër faktit se Kushtetuta e vendit mjedisin dhe mbrojtjen e tij e ka përcaktuar si përgjegjësi e të gjithëve, edhe në këtë vit vendi nuk shënoi ndonjë ndryshim, i cili dukshëm do të pasqyronte kthesa pozitive në frenimin e veprimeve degraduese në tokë, si pjesë të pandashme të mjedisit. Degradimi dhe ndryshimi i dedikimit të tokës, ndotja nga mbeturinat e të gjitha llojeve, shkarkimet e pa trajtuara, gërmimet, eksploatimi i zhavorrit, gurishtat dhe gurëthyesit, degradimi i pyjeve, ndikimi i mungesës së planifikimit të mirëfilltë hapësinor dhe zhvillimi i paekuilibruar urban e kanë shoqëruar vendin edhe në këtë vit.
Në këtë ditë, Avokati i Popullit ua rikujton institucionet përgjegjëse rëndësinë e orientimit të politikave në drejtim të mbrojtjes së tokës duke i kushtuar kujdes ekuilibrit në mes nevojave ekonomike dhe mirëqenies sociale me ato mjedisore, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme, sipas konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm.
Avokati i Popullit, në këtë ditë, edhe një herë kërkon që shfrytëzimi racional i resurseve natyrore dhe kufizimi i emisionevdhe i shkarkimeve të ndotjeve në tokë, parandalimi i dëmtimeve, rehabilitimi dhe përmirësimi i tokës së dëmtuar, me hapa të përshpejtuar të renditet në prioritetet e qeverisë, të organeve të rendit dhe të gjyqësorit.