Featured Image

IAP prezantoi dy raporte me rekomandime në një tryezë të rrumbullakët

09/03/2021

Prishtinë, 9 mars 2021 – Institucioni i Avokatit të Popullit prezantoi të martën dy raporte me rekomandime që kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjeve në lidhje me dhunën në familje dhe të drejtat e nënave (prindërve) vetushqyese lidhur me njohjen e pushimit vjetor.

Në tryezën e organizuar në Prishtinë u shpalosen detajet e dy raporteve me rekomandime për institucionet përgjegjëse me të gjeturat e IAP-së, sipas detyrës zyrtare.

Raporti i parë ka të bëjë me masat operative parandaluese  për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, sipas Ligjit nr.05/L-003 për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Raporti konstaton së dështimi në zbatimin e këtij ligji nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk e ka përmbushur në tërësi obligimin për mbrojtjen e viktimave, e as të viktimave të dhunës në familje.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se dhuna në familje duhet të luftohet në atë mënyrë që shteti t’i përdorë të gjitha masat, përfshirë edhe ato të cilat dalin nga Ligji për mbikëqyrje elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Z.Samedin Mehmeti, Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, theksoi se policia ka arritur që të trajnojë një numër zyrtarësh për mbikëqyrje elektronike por që nuk ka arritur të themelojë sallën operative. Ai shtoi se Policia e Kosovës është duke shikuar mundësitë financiare apo donacione për të krijuar këtë sallë ku mund të mbikëqyren personat në mënyrë elektronike.

Z. Habit Hajredini, drejtor i zyrës për qeverisje të mirë, në kuadër të zyrës së Kryeministrit, tha se zyra e tij e ka obligim ligjor që të monitorojë institucionet vendore në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Ai shtoi se zyra e tij po bënë përpjekje për të rritur dinamikën e punës me institucionet qendrore dhe ato lokale për të zbatuar rekomandimet me kohë.

Z.Skender Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se të gjeturat e raportit janë me rëndësi dhe se duhen të gjitha institucionet relevante që të angazhohen për parandalimin e dhunës në familje. Ai shtoi se gjykatat ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për mbikëqyrje elektronike për shkak të mungesës së pajisjeve të tilla dhe infrastrukturës tjetër.

Rekomandimet për zbatimin e këtij ligji i janë bërë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatave.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj shtoi se zbatimi i këtij ligji që është në fuqi do të ishte një garanci që shteti t’i ofronte mbrojtje efektive edhe viktimave të dhunës në familje.

Raporti tjetër i publikuar në këtë tryezë ishte në lidhje me të drejtat e nënave (prindërve) vetushqyese në Kosovë lidhur me njohjen e pushimit vjetor edhe për dy ditë për prindin vetushqyes, i cili i takon sipas Ligjit nr. 03/LO-212 të Punës i Republikës së Kosovës.

Hetimi sipas detyrës zyrtare ka zbuluar se nënat me fëmijë deri në tre vjeç, prindi vetushqyes dhe personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë në pushim edhe për dy ditë pune shtesë.

Avokati i Popullit i rekomandon Inspektoratit të Punës që të monitorojë zbatimin e këtij ligji, dhe po ashtu për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që në legjislacion të japë definicion të saktë për prind vetushqyes. Në fund, z. Qelaj theksoi se ky vit do të jetë vit i promovimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Lexoni raportet e plota këtu:  https://bit.ly/3cfRgRt dhe https://bit.ly/3rInSK0