Featured Image

Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas

08/03/2021

Prishtinë, 8 mars 2021 – Me rastin e shënimit të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Avokati i Popullit, si mekanizëm shtetëror i barazisë, me mandat për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, tërheqë vëmendjen për t’i kushtuar këtë ditë të arriturave të grave dhe vajzave me angazhimin e tyre të madh shoqëror në çështjet politike, sociale, kulturore e ekonomike në vend.  Institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar tërë kohën në mënyrë që garancitë kushtetuese, legjislacioni primar si dhe standardet e përcaktuara në instrumentet dhe konventat ndërkombëtare, të gjejnë zbatim të plotë dhe faktik, duke u bërë të prekshme dhe të arritshme për secilën vajzë dhe grua në Kosovë.

Kjo ditë duhet të shërbej për të rikthyer vëmendjen e institucioneve tona dhe të gjitha palëve të përfshira për zbatim të plotë të parimeve kushtetuese dhe trajtimin e barabartë të vajzave dhe grave, në të gjitha sferat e jetës. Gjatë mbylljes së familjeve nëpër shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë – dhuna në familje, shënoi rritje të dukshme gjatë kësaj kohe dhe vuri në sfidë përsëri betejën për fuqizimin e vazhdueshëm të rolit dhe pozitës së gruas. Kjo situatë duhet të gjejë institucionet dhe shoqërinë gjithmonë të gatshme për ta parandaluar e luftuar.

Një shoqëri e barabartë në aspektin gjinor, pashmangshëm nënkupton edhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës publike, duke filluar nga përfaqësimi i grave në pozita të larta vendim-marrëse e deri tek përfshirja e tyre në planifikimin dhe hartimin e politikave publike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetesën dhe mirëqenien e të dy gjinive.