Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës

03/03/2021

Prishtinë, 3 mars 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj ka vizituar të mërkurën ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës në hapësirat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, i shoqëruar nga z. Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv në Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që është edhe krijuese e kësaj ekspozite.

Z. Qelaj përgëzoi Fondin për punën e bërë me këtë ekspozitë dhe tha se kjo përçon shumë porosi për shoqërinë por edhe për institucionet vendore e ndërkombëtare.

Ai tha se ekspozita është një thirrje që krimet e luftës të merren me më shumë seriozitet në mënyrë që viktimave t’u ofrohet drejtësi që ata të gjejnë një rehati shpirtërore dhe morale. Ai theksoi se në këtë drejtim institucionet vendore kanë dështuar ndërsa sot nuk mund të justifikohen për mungesë të kompetencave por duhen bërë veprime konkrete për ti ballafaquar kryerësit e këtyre krimeve me drejtësinë.

Avokati i Popullit tha se Institucioni që ai udhëheq do të angazhohet për të nisur një hetim për të parë se sa janë respektuar të drejtat e viktimave në këndvështrimin e të drejtave të njeriut si dhe me të drejtat e garantuara me konventat ndërkombëtare. Ai shtoi se është momenti i fundit që duhet bërë punë më të madhe duke u ofruar drejtësi viktimave dhe të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Po ashtu, z. Qelaj theksoi se kjo ekspozitë duhet të zë vend meritor duke krijuar një muze dhe për këtë çështje institucionet duhen të ofrojnë zgjidhje.

Z. Bekim Blakaj falënderoi z. Qelaj për vizitë dhe tha se shpreson që bashkëpunimi me Avokatin e Popullit do të vazhdojë në të ardhmen.

Ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” i kushtohet vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë dhe paraqiten rrobat, lodrat dhe librat e fëmijëve. Ekspozita është hapur më 13 maj 2019,  kuruar nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000. Nga ta, 109 konsiderohen ende persona të pagjetur.