Reagim i Avokatit të Popullit në lidhje me sulmet fizike ndaj qytetarëve
26/02/2021
Prishtinë, 26 shkurt 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj ka përcjellë me shqetësim dhe dënon rastet e fundit të dhunës fizike të kryera ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Z. Qelaj shpreh shqetësimin e tij për sulmin fizik që i është bërë gazetarit Visar Duriqi. Ky akt paraqet sulm ndaj lirisë së shprehjes si një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Sulmet fizike, kërcënimet verbale dhe frikësimi i gazetarëve përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut. Viteve të fundit, shumë shtete kanë punuar bashkë për të vendosur standardet më të larta me karakter të gjerë të garantimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë e pluralizmit të mediave.
Z. Qelaj po ashtu përmend edhe rastin e sulmit fizik ndaj të riut, Nikolla Rashiq, që ka ndodhur më 22 shkurt 2021, në Llapnasellë, dhe e konsideron të pa papranueshëm për vendin tonë. Qytetarët duhen të jetojnë të lirshëm e të sigurt si një nga të drejtat themelore të njeriut.
Z. Qelaj kërkon nga mekanizmat ligj-zbatues që t’i trajtojnë me prioritet dhe seriozitet këto raste, duke ritheksuar edhe obligimin e shtetit që ka për të siguruar jetën, shëndetin dhe integritetin fizik të qytetarëve dhe kërkon marrjen e të gjitha masave që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen.