Featured Image

Avokati i Popullit, Naim Qelaj takoi kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini

12/02/2021

Gjakovë, 12 shkurt 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u prit në takim të premten nga kryetari i Gjakovës, z. Ardian Gjini.

Në këtë takim u diskutua për çështje të ndryshme sa i përket të drejtave të njeriut, për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e vazhdimit të punës në interes të qytetarëve.

Kryetari Gjini falënderoi z. Qelaj për vizitën dhe e uroi për marrjen e mandatit të Avokatit të Popullit. Ai theksoi se komuna në një të ardhme të afërt do të sigurojë që zyra rajonale e Institucionit të Avokatit të Popullit të ketë një zyre në hapësirat komunale.

Z.Qelaj po ashtu u takua edhe me rektorin e Universitetit publik të Gjakovës, z. Artan Nimani me të cilin nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta nga fusha e të drejtave të njeriut, në veçanti promovimin dhe edukimin mbi të drejtat e njeriut.

Z. Qelaj vlerësoi lart punën e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë e në veçanti theksoi rëndësinë për themelimin e Ombudspersonit nga ana e këtij universiteti që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të studentëve, stafit akademik dhe përmirësimit të cilësisë së procesit edukativ.

Avokati i Popullit në vazhdën e vizitave nëpër rajone vizitoi edhe zyrën rajonale të institucionit në Gjakovë për të parë për së afërmi mbarëvajtjen dhe kushtet e punës.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj në takim me rektorin e Universitetit publik të Gjakovës, z. Artan Nimani.