
Avokati i Popullit, Naim Qelaj u prit në takim nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri
20/01/2021
Gjilan, 20 janar 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u prit në një takim pune të mërkurën nga kryetari i Gjilanit, z. Lutfi Haziri.
Avokati i Popullit, z. Qelaj falënderoi kryetarin Haziri për ofrimin e hapësirës për zyrën e Institucionit të Avokatit të Popullit në komunë, një kërkesë ligjore e plotësuar nga komuna. Ai theksoi se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me bashkëpunim të mirë me komunën për të punuar në interes të qytetarëve.
Kryetari Haziri falënderoi z. Qelaj për vizitën dhe e uroi per marrjen e mandatit të Avokatit të Popullit. Ai theksoi se komuna tashmë ka krijuar një traditë bashkëpunimi me Institucionin e Avokatit të Popullit dhe falënderoi për rolin e zyrës në këtë komunë e cila identifikon problemet e qytetarëve e për të cilat komuna punon për të gjetur zgjidhje.
Z. Qelaj vizitoi edhe Qendrën për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan ku takoi udhëheqësen e qendrës, znj. Nazife Jonuzi. Znj. Jonuzi e njoftoi z. Qelaj për gjendjen e qendrës dhe shqetësimet e tyre për mungesën e qëndrueshme të buxhetit. Ajo po ashtu theksoi se rastet e dhunës në familje janë rritur në këtë qytet gjatë kohës së pandemisë.
Z. Qelaj vizitoi zyrën rajonale të institucionit në Gjilan për të parë për së afërmi mbarëvajtjen e punëve.

