Featured Image

IAP organizoi konferencë regjionale për sfidat e pandemisë dhe ndikimi në të drejtat e njeriut

10/12/2020

Prishtinë, 10 dhjetor 2020 – Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi të enjten një konferencë regjionale virtuale për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me temën “Të drejtat e njeriut në periudhën e pandemisë dhe roli i Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut”.

Në këtë konferencë morën pjesë autoritetet më të larta të vendit, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Sekretarja e Përgjithshme e Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të drejtave të njeriut, Ombudsmanët nga regjioni, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se viti 2020 ka gjetur vendet në mbarë botën para një sfide të madhe, para një pandemie që rrezikon jetën e njerëzve dhe shëndetin publik, e që ka shkaktuar pasoja në të gjitha aspektet e shoqërisë.

“Çka duhet të jetë në qendër të këtij diskutimit sot, është fakti i parimit të ligjshmërisë së masave  kufizuese, me qëllim të shmangies së arbitraritetit, diskriminimit  si dhe që të njëjtat të jenë të domosdoshme dhe proporcionale me rrezikun apo situatën e krijuar,” tha z. Qelaj.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani tha se në këto kohë të vështira të pandemisë të gjitha institucionet duhen të jenë në hap me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo nënvizoi se grupet e margjinalizuara ishin grupet më të rrezikuara gjatë pandemisë dhe se është obligim i të gjitha institucioneve t’u dalin në mbrojtje të kësaj kategorie të shoqërisë.

Bajram Ljatifi, zëvendës kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës theksoi se Gjykata ishte e angazhuar po ashtu gjatë marrjes së vendimeve shtetërore për masat kufizuese gjatë pandemisë dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai i bëri thirrje të gjitha institucioneve në vend që të bëjnë maksimumin për promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kryetarja e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Duda Balje tha se komisioni ka pranuar peticione nga qytetarët që kanë kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut të ndërlidhura me pandeminë. Ajo shtoi se shoqëria po përballet edhe me dezinformata që ndërlidhen me pandeminë ku nënvizoi lajmet negative të shpërndara në lidhje me vaksinat dhe njerëzit kanë krijuar rezerva për marrjen e vaksinës kundër Covid 19.

Në këtë konferencë po ashtu mori pjesë edhe shefi i OSBE-së në Kosovë, z. Jan Braathu i cili tha se e tërë bota është sfiduar me pandeminë dhe të drejtat e njeriut kanë qenë të ndikuara si në kufizimin e lëvizjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit. “Duhet të vazhdojmë të jemi vigjilent në mënyrë që të mbrojmë të drejtat e njeriut të të gjithë njerëzve,” tha Braathu.

Konferenca vazhdoi me diskutimet e Ombudsmanëve nga regjioni të cilët treguan për përvojat e tyre në lidhje me ndikimin e pandemisë.

Në përmbyllje të konferencës, z. Qelaj falënderoi pjesëmarrësit që diskutuan për përvojat e tyre në ballafaqimin e sfidave të pandemisë karshi të drejtave të njeriut. Ai uroi që të kalojë kjo situatë sa më shpejt dhe përsëriti moton e sivjetme të kësaj dite “Rimëkëmbu, ngrihu për të drejtat e njeriut”.

Tradicionalisht, 10 dhjetori shënohet si dita ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, si një përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si instrumenti i parë gjithëpërfshirës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e cila u miratua më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB.