Deklaratë për Ditën Universale të Fëmijëve
Prishtinë, 20 nëntor 2020 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj me rastin e Ditës Universale të Fëmijëve, u bën thirrje institucioneve të kujdesen për respektimin e të drejtave dhe për mirëqenien e fëmijëve.
Sot shënojmë Ditën Universale të Fëmijëve dhe miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, që është instrumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar në këtë fushë. Qëllimi i shënimit të kësaj dite, përveç tjerash, është vënia në pah e rëndësisë që ka për shoqërinë promovimi i mirëqenies së fëmijëve dhe sigurimi i respektimit të të drejtave të tyre.
Ky vit ishte i vështirë për fëmijët në Kosovë dhe anembanë botës, masat e caktuar për ta parandaluar përhapjen e COVID-19, përveç tjerash, ka përfshirë mbylljen e shkollave, izolimin në shtëpi dhe kufizimin e lëvizjes. Këto kufizime kanë ndikuar tek fëmijët dhe në familjet e tyre, si dhe kanë nxjerrë në pah edhe më shumë mangësitë dhe mungesën e masave të posaçme për realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Izolimi social, kufizimi i lëvizjes dhe kufizimet e tjera nuk janë mbështetur me masa që lehtësojnë shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve. Prandaj institucionet vazhdimisht nuk kanë treguar vëmendje të veçantë që gjatë planifikimit të masave ta kenë parasysh sigurimin e parimit të interesit më të mirë të fëmijës në mënyrë që fëmijët të jenë të mbrojtur nga shkeljet eventuale të të drejtave të tyre.
Avokati i Popullit, posaçërisht kërkon nga institucionet që me rastin e miratimit të pakove mbështetëse, të përfshijë masa specifike për të mbështetur fëmijët në situatë rruge, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët në gjendje të rëndë ekonomike. Këto masa duhet të përcillen me financim të qëndrueshëm për t’iu përgjigjur krizës shëndetësore, sociale dhe ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, duke i përfshirë si masa shtesë me qëllim që të sigurohet jeta dhe shëndeti i fëmijëve.