
Komunikatë për media – Publikohet raporti me rekomandime në lidhje me refuzimin e kërkesës së z. Tienmu Ma për leje qëndrimi në Republikën e Kosovës
Prishtinë, 30 tetor 2020 – Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore, sot publikoi Raportin me rekomandime për ankesën me numër 555/2020 në lidhje me refuzimin e kërkesës së z. Tienmu Ma për leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesën e z. Tienmu Ma, më 27 shtator 2020, i cili ka pretenduar se veprimet e autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese e ligjore lidhur me trajtimin e kërkesës së tij për leje qëndrim në Republikën e Kosovës.
Raporti në fjalë argumenton se ka pasur shkelje të kryera nga Divizioni për të Huaj i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe po ashtu shkelje të kryera nga ana e Komisionit të Ankesave për të Huaj.
Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit ka konstatuar se gjatë trajtimit të çështjes së z. Tienmu Ma ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Së këndejmi, Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve përgjegjëse rishqyrtimin e çështjes në rastin e z. Tienmu Ma, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, me qëllim të përmirësimit të mangësive të cilat kanë shkaktuar shkeljet e konstatuara nga Avokati i Popullit.
Për më shumë, Raportin me Rekomandime te Avokatit të Popullit mund ta gjeni në linkun: https://bit.ly/2TzYAP7