Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim përfaqësuesit e agjencive të OKB-së në Kosovë

12/10/2020

12 tetor 2020, Prishtinë – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti të hënën në takim përfaqësuesit e agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur ndryshe si Ekipi i Kombeve të Bashkuara i Kosovës (UNKT), që përfshin 19 agjenci.

Z. Qelaj mirëpriti përfaqësuesit e agjencive në këtë takim njoftues dhe theksoi se ishte informuar për punën e përbashkët të deritanishme ndërmjet agjencive dhe Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).

Ai tha se IAP është falënderues për punën e këtyre agjencive në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe shtoi se do të angazhohet që të vazhdojë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me këto agjenci.

Znj. Ulrika Richardson, koordinatore e zhvillimit të OKB-së dhe udhëheqëse e UNKT-së i uroi z. Qelaj marrjen e postit të Avokatit të Popullit dhe i dëshiroi suksese në punë. Ajo shtoi se UNKT ka punuar në një numër të projekteve me IAP-në dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Z. Qelajn e uruan edhe përfaqësuesit e agjencive tjera dhe e njoftuan në pika të shkurtra në lidhje me punën e tyre në Kosovë.