Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti delegacionin e Komitetit për Parandalimin e Torturës
7 tetor 2020, Prishtinë – Avokati i Popullit, Naim Qelaj priti të martën një ekip nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit.
Komiteti Evropian Për Parandalim të Torturës (KPT) është një mekanizëm monitorues i Këshillit të Evropës i cili monitoron zbatimin e Konventës Evropiane Kundër Torturës në Evropë.
Z. Qelaj mirëpriti delegacionin nga KPT-ja dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit e cila shkon në të mirë të përmirësimit të institucioneve vendore ku mbahen personat e privuar nga liria.
Gjatë takimit me KPT-në, përfaqësuesit e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) ofruan të dhënat e tyre të mbledhura gjatë vizitave të rregullta në të gjitha vendet e privimit nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin, burgjet, objektet e paraburgimit, qendrat e mbajtjes së imigrantëve (qendrat e azil kërkimit) institucionet e kujdesit social apo psikiatrik (shtëpitë e pleqve, shtëpitë e shëndetit mendor), qendrat e mbrojtjes së fëmijëve dhe objekteve e hapësirave të kujdesit për personat e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe çdo hapësire tjetër ku dyshohet se ka shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Të dy palët u pajtuan për rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet KPT-së dhe MKPT-së dhe bashkëpunimi i IAP me mekanizmat dhe organet e Këshillit të Evropës me qëllim të parandalimit të torturës dhe trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese.
Delegacioni i KPT-së është duke e vizituar Republikën e Kosovës me qëllim të vlerësimit të respektimit të të drejtave themelore të njeriut të të personave të privuar nga liria e tyre. Ky komitet vizitoi Kosovën për herë të fundit në vitin 2015. Gjatë vizitës në Republikën e Kosovës KPT u takua me institucione dhe Organizata të ndryshme Jo-Qeveritare të cilat dhe kryejnë vizita në vendet e privimit nga liria.
Pas përfundimit të vizitës, KPT-ja gjatë takimit me autoritetet kompetente, do të shpalosë observimet preliminare për të gjeturat gjatë vizitës. Më pastaj, KPT-ja do të përpilojë raportin me rekomandime për vizitën në Republikën e Kosovës i cili do tu dërgohet autoriteteve kompetente të shtetit.
Më 2016, u themelua Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese (MKPT), si një strukturë e veçantë në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).
Ndërsa, Komiteti për Parandalimin e Torturës është themeluar më 1987 sipas Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit e dënimit çnjerëzor dhe degradues për të hulumtuar trajtimin e personave të privuar nga liria.