Avokati i Popullit takoi Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës
1 tetor, 2020, Prishtinë – Vizitën e tij të parë, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj e nisi në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku u prit nga Kryetarja, znj. Vjosa Osmani.
Avokati i Popullit falënderoi Kuvendin për besimin e dhënë dhe ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin ndërinstitucional në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend.
Ai po ashtu përgëzoi Kuvendin për miratimin e amendamentit kushtetues lidhur me Konventën e Stambollit duke e cilësuar si një lajm të mirë për vendin në parandalimin e mëtejmë të pabarazisë gjinore.
Kryetarja e Kuvendit znj. Osmani, uroj z. Qelaj për detyrën e re duke i dëshiruar suksese dhe shtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar me Institucionin e Avokatit të Popullit.
Ajo theksoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet më shumë në mënyrë që rekomandimet e dala nga Institucioni i Avokatit të Popullit të gjejnë zbatim nga ana e institucioneve.
Në fund të takimit, Kryetarja e Kuvendit znj. Osmani i dhuroi Avokatit të Popullit një Kushtetutë, si thirrje për t’u angazhuar në mbrojtjen e vlerave dhe të drejtave fundamentale që i garanton akti më i lartë juridik i vendit tonë.