ENNHRI publikon raportin për gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë
Prishtinë, 30 qershor 2020 – Institucioni i Avokatit të Popullit është anëtar i Rrjetit Evropian për Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI) që nga viti 2013. Ky rrjet evropian ka publikuar Raportin për Gjendjen e Sundimit të Ligjit në Evropë, i cili paraqet perspektivën e të gjitha institucioneve anëtare për situatën e sundimit të ligjit në shtetet e tyre, bazuar në monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave gjatë periudhës prill – qershor 2020, duke përfshirë edhe atë të Kosovës, sipas raportit të dërguar nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës.
Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (NHRI), siç është edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, janë akterë kryesorë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si organe me mandat shtetëror, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga qeveria me një mandat të gjerë për të drejtat e njeriut. Ky raport identifikon tendencat kryesore në këtë aspekt në të gjithë rajonin dhe detajon situatën specifike në secilin shtet, përfshirë në kontekstin e reagimit të qeverive pas përhapjes së pandemisë së virusit COVID- 19.
Linku i raportit: https://bit.ly/2Vrc7tG